Video

Ndalimi i monopatinave, bizneset në alarm: “Vendimi erdhi nga hiçi, rrezikojmë falimentin”

Masa, e cila sipas institucioneve synon të rrisë sigurinë publike pas shtimit të aksidenteve, ka goditur drejtpërdrejt bizneset që operojnë në këtë sektor.

Loreta Koleci
Ndalimi i monopatinave, bizneset në alarm: “Vendimi erdhi nga
Redi Muça

TIRANË- Vendimi i qeverisë shqiptare për të pezulluar qarkullimin e monopatinave dhe mjeteve të tjera elektrike që prej 13 tetorit 2025 ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Masa, e cila sipas institucioneve synon të rrisë sigurinë publike pas shtimit të aksidenteve, ka goditur drejtpërdrejt bizneset që operojnë në këtë sektor.

Një prej tyre është Redi Muça, sipërmarrës i cili prej vitit 2018 merret me importin dhe tregtimin e monopatinave elektrike në Tiranë. Ai e nisi këtë aktivitet pas eksperiencës së tij jashtë vendit në të njëjtin sektor, me bindjen se Shqipëria ishte gati për një mënyrë të re, inovative dhe praktike lëvizjeje. Ai shprehet i zhgënjyer nga mënyra si u mor vendimi, pa paralajmërim apo konsultim me bizneset.

 
 
 
 
 
Visualizza questo post su Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Un post condiviso da ZËRI (@zeri.albania)

“Ky vendim erdhi nga hiçi. Fillimisht nuk kishim asnjë paralajmërim. Do isha shumë i kënaqur nëse do kisha një informacion paraprak, që moralisht por edhe financiarisht bizneset të përgatiteshin për një rregull të ri që do të vinte për mjetet elektrike, sepse pavarësisht se shumica e njerëzve e konceptojnë vetëm për monopatinat, në praktikë policia ka pezulluar edhe mopedët dhe biçikletat elektrike. Kështu që edhe vetë institucionet shtetërore nuk janë të qarta me këtë vendim, jo më bizneset si ne apo të tjerët.”

Ndikimi në ekonominë e biznesit ka qenë i menjëhershëm.

“Shitjet kanë rënë drastikisht. Frika në popullsi është shumë e madhe, sepse askush nuk do të shpenzojë për t’ia sekuestruar shteti 2-3 ditë më vonë. Shumica e njerëzve që kanë blerë nuk janë shtresa e pasur. Stoku ynë është i madh, sepse mjetet tona kanë kaluar kufirin e atyre mjeteve ‘verore’. Janë mjete që përdoren në të gjitha stinët. Ne ishim përgatitur për një sezon të mirë në shitjen e tyre, por ky stok tashmë ka ngecur. Duke qenë se edhe institucionet nuk kanë një afat të caktuar se kur do të rinisë shitja e tyre, meraku ynë është shumë i madh.”

Muça ngre një “kambanë alarmi” për mënyrën si merren vendimet që prekin sektorë të tillë inovativë: “Faktikisht, në disa raste të tjera ne jemi kontaktuar nga institucionet. Ky ishte nga të vetmit raste që nuk kishim asnjë lloj informacioni. Nëse ka një kambanë alarmi që dua të ngre, është pikërisht kjo: duhet patjetër prezenca e personave me ekspertizë në terren, që të ndihmojnë në vendosjen e një ligji për të ardhmen.”

Po nëse kjo situatë zgjat? Nëse kjo situatë zgjat sipas Redit pasojat do të jenë të rënda.

“Nëse situata do të jetë e tillë, ku askush nuk di asgjë, jo vetëm ne por çdo biznes në këtë fushë do të përballet shumë shpejt me falimentim, sepse shpenzimet janë të mëdha. Alternativa nuk kemi. Nëse biznesi im do të mbyllej ose do t’i vinte mungesë performance nga një vendim i paqartë nga institucionet shqiptare, patjetër që do të isha shumë pishman që kam ndërtuar këtë biznes në një vend që nuk më jep siguri ligjore.”

Megjithatë, pavarësisht zhgënjimit, ai ruan një fije shprese: “Të shpresojmë që institucionet ta kenë veshin e hapur për të gjithë ne që flasim lidhur me këtë situatë, sepse nuk është shaka. Shumica prej nesh po përballemi me dëmtime financiare, por shpresoj që kjo situatë të sqarohet sa më shpejt dhe ne të vazhdojmë rutinën e punës sonë. Shumë familje mbahen nga një biznes i tillë dhe do doja që të gjithë të kishim një jetë këtu, në Shqipëri, në Tiranë.”/ZËRI

Poll

MOS HUMB