Video

Mikrokreditë/ Guvernatori Sejko merret 2 herë në pyetje nga SPAK

SPAK ka disa hetime paralele lidhur me çështjen e mikrokredive. Hetimin për guvernatorin Sejko dhe bashkëpunëtorët e tij në Bankën e Shqipërisë po e ndjek prokurorja Dorina Bejko, e cila ka marrë përsipër kallëzimin e bërë nga Dhoma e Përmbaruesëve.

F.m
Mikrokreditë/ Guvernatori Sejko merret 2 herë në pyetje nga SPAK
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko është thirrur dy herë për tu marrë në pyetje nga SPAK në lidhje me dosjen e mikrokredive. Burime konfidenciale nga BKH bëjnë me dije për ZËRI-n se guvernatori është marrë në pyetje, por nuk dihet sesi ka mundur që të futet dhe të dalë nga godina po u vënë re nga gazetarët dhe nga kamerat e televizioneve që çdo ditë qëndrojnë para godinës së institucionit të Prokurorisë së Posaçme.

Por si, kush dhe çfarë po hetohet?

SPAK ka disa hetime paralele lidhur me çështjen e mikrokredive. Hetimin për guvernatorin Sejko dhe bashkëpunëtorët e tij në Bankën e Shqipërisë po e ndjek prokurorja Dorina Bejko, e cila ka marrë përsipër kallëzimin e bërë nga Dhoma e Përmbaruesëve. Sipas të njëjtave burime, hetimet janë drejt fundit dhe shumë shpejt pritet që të dorëzohen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Përveç kësaj çështjeje, një tjetër hetim po zhvillohet nga hetuesi Edvin Kondili lidhur me kallëzimin që ka bërë ministri i Drejtësisë Ulsi Manja kundër “MCA” të Olsi Ibros dhe “Final” të Arben Meskutit. Po në vitin 2024, njëjtë si dy çështjet e tjera, është depozituar dhe një dosje e tretë. Hetimi i nisur për një rast mashtrimi me kredi dyshohet se ka zbuluar lidhje të drejtorëve kryesorë të Bankës së Shqipërisë, Deniz Deralla dhe Altin Naqe me skemën e mikrokredive. Se ku qëndron kjo lidhje, priten ta zbulojnë hetimet.

Megjithatë nuk dihet nëse të gjitha këto raste do të përmblidhen në një dosje të vetme, apo do të hetohen veçmas dhe të palidhura me njëra-tjetrën. Më shumë do të mësojmë kur SPAK të ndërmarrë veprime për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që mashtruan më shumë se 100 mijë shqiptarë që kanë rënë pre e skemës "piramidale". I pari që dha lajmin se çështja e skandalit të mikrokredive po hetohej nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ishte ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Lajmin e dha gjatë një raportimi në Komisionin e Ligjeve më 10 Maj 2024. Por çështje të hapura kishte edhe në Prokurorinë e Tiranës, që mesa duket kanë kaluar edhe ato në SPAK. Pak muaj më parë, Micro Credit Albania dhe Final, të dyja shoqëritë e mbledhjes së borxheve e kredive të këqija u vendosën nën sekuestro me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Mbi shoqëritë rëndon vepra penale e "mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim” dhe për "pastrim të produkteve të veprës penale". Megjithatë, deri më tani, nga Prokuroria e Tiranës nuk jepen sqarime se paratë e kujt janë "pastruar" përmes kësaj kompanie që tashmë është nën sekuestro. Kreu i SPAK Altin Dumani, konfirmoi gjithashtu nisjen e hetimit për këtë çështje në raportimin që bëri në Komisionin e Ligjeve një vit më parë.

Së fundmi është marrë në pyetje nga SPAK edhe ish-rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Lëvizjet e institucioneve ligjzbatuese nisën pasi ZËRI denoncoi me zë dhe figurë dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në këto zyra. Këto institucioneve përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve kredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA, që përmes zyrave fikive ligjore telefononte dhe ushtronte presion tek qytetarët për kthimin e borxheve.

Një prej viktimave, Pal Trashaj i dha fund jetës në dyert e SPAK. Ai kishte shkuar në Prokurorinë e Posaçme që të denonconte rastin e tij, por në dëshpërim e sipër, konsumoi fostoksinë, duke i dhënë fund jetës. Një fund të ngjashëm ka zgjedhur edhe Olsi Ibro, pronari i “Micro Credit Albania”, i cili u vetëhodh nga një pallat në ndërtim dhe gjeti vdekjen./ZËRI/

Poll

MOS HUMB