TIRANË- Jo vetëm çmimet e naftës po rriten, por edhe produktet bazë ushqimore po shtrenjtohen ndjeshëm. Çmimet e domateve në Shqipëri kanë arritur nivel rekord këtë pranverë. Në tregjet e pakicës, domatet normale shiten nga 350-440 lekë/kg, ndërsa varietetet specifike si domatet qershi kapin deri në 700-800 lekë/kg, një vlerë e paimagjinueshme për konsumatorët. Faktorët që kanë çuar në këto çmime të larta përfshijnë dëmet nga përmbytjet e fillimvitit në serat e Fierit, Lushnjës dhe Beratit, sipërfaqe më të ulëta të mbjelljes, kërkesën e lartë në eksport dhe kostot në rritje të inputeve bujqësore. Sakaq, domatja, një produkt bazë i domosdoshëm, është kthyer në një luks për qytetarët. Përmbytjet dhe faktorët e tjerë klimatikë në Shqipëri godasin më rëndë për shkak të infrastrukturës së vjetruar të kanaleve kulluese, duke e bërë prodhimin vendas më “vulnerabël” dhe çmimin më të paqëndrueshëm krahasuar me fqinjët.