
GAZA - Ky është momenti dramatik kur dy punonjës të pompës së benzinës ikin të tmerruar, teksa ‘banditët’ e Hamasit plaçkistin dyqanin e tyre me armë në dorë. Të dy burrat janë kapur në kamerat e sigurisë, duke parë me kujdes nga dera, pasi dëgjuan të shtëna jashtë, në mëngjesin e 7 tetorit, kur militantët filluan sulmin e tyre të përgjakshëm.
Kamera më pas filmon skenën e tmerrshme të një grupi militantësh të Hamasit, që sulmojnë me armë drejt pikës së karburantit. Të dy burrat – njëri hebre dhe tjetri mysliman-arab – kthehen e ikin në pjesën e pasme të pompës së benzinës, pranë Ashkelonit në Izraelin jugor. Ka një moment të shkurtër paniku, ndërsa një burrë arrin të hapë derën dhe të dy arratisen.
Pamjet janë kapur nga kamera të ndryshme në pikën e karburantit dhe janë publikuar nga pronari Moris Atias e janë regjistruar në orën 7:50 të mëngjesit të 7 tetorit. Pamje të mëtejshme kapin momentin, kur plumbat vërshojnë nëpër dyqan, përplasen në vitrinë e thyejnë dyert e xhamit. Kamerat më pas kapin momentin kur militantët hynë në dyqan, duke kërkuar për njerëz brenda godinës. Duke kaluar nga dera, militantët e armatosur me AK47 vrapojnë brenda dyqanit. Duke gjetur derën e pasme përmes së cilës u arratisën, dy militantët e hapin atë me shkelm. Ata marrin çfarë të gjejnë në dyqan.
Grabitja ‘e pakuptimtë’ zgjati dy minuta para se militantët të dilnin me vrap nga dyqani. Në pamjen e fundit, militantët shihen duke vrapuar nëpër oborr – njëri ka një kuti me pije portokalli mbi supe e të dy shkojnë drejt një kamionçine të bardhë Toyota. Atias tha se kishte parë pamjet e tmerrshme, teksa kamerat ishin të lidhura me telefonin e tij. Stacioni i karburantit është vetëm pak minuta me makinë nga kibuci Nir Oz, ku 180 nga 400 banorët u vranë ose u rrëmbyen. Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë më tepër se 1300 njerëz./Zëri.ai/