TIRANË- Pas më shumë se pesë orësh diskutime Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit ka shtyrë pa afat mbledhjen ku do të vendoset lidhur me kërkesën e SPAK për imunitetin e zëvendëskryeministres, Belinda Balluku. Mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura, u shoqërua me debate lidhur me lejimin e anëtarëve për njohjen me dokumentet e prokurorisë dhe afatet që i duhen palës mbrojtëse për të paraqitur argumentet në Këshill. Avokati i zv.kryeministres kërkoi 3 javë kohë për tu njohur me dosjen voluminoze. Por, sipas prokurorëve të SPAK mjaftojnë 5 ditë kohë maksimumi për t'u njohur me provat. Pas shqyrtimit të kërkesës së demokratëve, Këshilli vendosi që anëtarët të marrin me vete USB-në me 10 mijë faqe me prova për dosjen "Balluku". Ndërkohë, pas mbledhjes, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi është ndalur në një prononcim për mediat, ku është shprehur se mbledhja ishte një skenar i kryeministrit Rama, i cili kërkon kohë për vete dhe për Ballukun që të intimidojnë provat dhe dëshmitarët. Në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit morën pjesë edhe kreu i ri i SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorët e Strukturës së Posaçme, Dorina Bejko dhe Dritan Prençi. Zv/kryeministrja Belinda Balluku zgjodhi të mos marrë pjesë në mbledhje dhe u përfaqësua nga avokati i saj Ardian Kalia. Por, teksa pritej vendimi i mbledhjes, jashtë ambienteve të Kuvendit u zhvilluan protesta, nga njëra anë shoqëria civile, ndërsa një tjetër protestë u udhëhoq nga “Mundësia” e Agron Shehajt.
/ZËRI