TIRANË-Ish-presidenti Ilir Meta ka dëshmuar këtë të enjte në SPAK për çështjen e "21 Janarit". Raportohet se në seancën që zgjati më shumë se 3 orë, Meta është pyetur nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të vendosur nga prokurori i dosjes, Alfred Shehu. Burime bëjnë me dije se Meta, në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, ka folur për një skenar të parapërgatitur. Mësohet se Meta ka dëshmuar se amerikanët dhe shërbimet inteligjente ishin në dijeni të skenarit të dhunshëm të organizuar nga Edi Rama, për të patur viktima që t'i jepej një kauzë. Lidhur me provat që ai disponon apo ka dijeni, ish-presidenti orientoi organin hetues të kryejë kontrolle dhe të sekuestrojë materialet që ndodhen pranë institucioneve përkatëse dhe që konsiderohen të klasifikuara, duke dhënë edhe emra konkretë. Ka qenë vetë ish-Presidenti ai që i ka kërkuar zyrtarisht SPAK-ut të dëshmojë lidhur me hetimet e protestës së 21 janarit në vitin 2011, ku mbetën të vrarë 4 protestues. Kjo protestë shpërtheu pas publikimit të një videoje komprometuese që përfshinte zv.kryeministrin e atëhershëm Ilir Meta dhe ish-ministrin Dritan Prifti, ku bëhej fjalë për një korrupsion prej 700 mijë eurosh.
/ZËRI