
TIRANË- 5 orë ka zgjatur dje seanca në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës. Seanca e radhës u la në datë 1 dhe 24 nëntor, ku do dëshmojë sërish Ndrek Prenga, por edhe vëllai tjetër i vëllezërve, Anton Prenga. Në seancën e djeshme, Ndrek Prenga tregoi se kur ka ndodhur ngjarja ka qenë në një burg në Londër, por sërish mbante kontakte me familjen. Konkretisht me të vëllanë kishte folur 1 javë para se të rrëmbehej dhe vritej.
Por në momentin kur ka ndodhur rrëmbimi, një person i ka futur një iPhone në qeli dhe nga ky numër e ka telefonuar një person me një prefiks të huaj duke iu prezantuar si Gentian Funiqi. Siç shkruan për "OraNews" gazetari Edison Vatnikaj, Prenga tregon se Funiqi i është prezantuar si nga Dukagjini i Shkodrës dhe i ka kërkuar që t'i kthejë mbrapsht gjërat që i ka marrë...pra 260 kg kokainë.
Sipas Ndrek Prengës, Gentiani i kishte thënë se ka tentuar të lidhet edhe me të vëllanë Astritin, por nuk ia kishte dalë. Kështu që kishte kontaktuar me të. Kërkesës së Funiqit, Prenga i ishte përgjigjur shkurt: Nuk e di për çfarë bëhet fjalë, por më lër pak kohë që ta zgjidh! Pasi ka mbyllur telefonin me Funiqin, ka telefonuar të vëllanë, i cili gjithashtu i është shprehur se nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur.Sipas dëshmisë së Ndrek Prengës, pas ndërprerjes së mesazheve me Gentianin për të cilën fliste edhe me kamera, një tjetër numër i ka shkruar duke iu prezantuar si Gramoz ku edhe ai pretendonte se kokaina e marrë nga Astrit Prenga është e tij. Vetëm kur Policia ka shkuar në kompleksin "Golden", atje ku u pa për herë të fundit i vëllai, ka ndërprerë kontaktet me të gjithë personat që kishte komunikuar./ZËRI