
TIRANË- Mariela Berisha, e cila goditi me gotë në fytyrë Klea Prengën është lënë sot në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Përpara trupit gjykues, ajo është shfaqur e penduar për aktin e kryer dhe ka kërkuar mëshirë për zbutjen e masës së sigurisë, në mënyrë që të ketë mundësi të qëndrojë me djalin e saj të vogël, vetëm dy vjeç. Mariela është shprehur se prej dy vitesh po përjeton një situatë të rënduar psikologjike dhe se është e gatshme t’i paguajë çdo dëm që i është shkaktuar 24-vjeçares. Edhe motra e saj, Antonela Berisha, e cila është lënë në masën “detyrim paraqitjeje” ka kërkuar falje për ngjarjen dhe ka rrëfyer se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Nga ana tjetër, avokati i Klea Prengës, i ftuar mëngjesin e sotëm në “Breaking”, Alfred Duka është shprehur se e reja ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe se ka marrë vazhdimisht kërcënime përmes disa mesazheve që i ka kallëzuar. Prenga u dhunua më 9 gusht, e vetëm pak ditë më parë doli dhe ekspertiza mjekoligjore për dëmet që i janë shkaktuar të resë nga dy motrat. Në ekspertizë thuhej qartë se 24-vjeçarja ka pësuar dëme të mëdha të konsideruara shëmti dhe shenja e mbetur në fytyrë e trajtimi i historisë në media, ia kanë bërë të pamundur vazhdimin e punës së saj si blogere. Mariela Berisha pretendonte se Klea Prenga kishte krijuar një marrëdhënie me bashkëshortin e saj, Mir Pepa dhe ndaj shkoi ta dhunonte. Por, 24-vjeçarja ka versionin e saj. Ajo është shprehur se në momentin që ka nisur një lidhje me Pepën, biznesmeni ka qenë i ndarë nga Mariela.