
KURBIN- Atentati që kishte si shënjestër 51-vjeçarin Ardjan Gjeloshi, por që i vrarë mbeti ekonomisti i firmës së tij që merret me përpunimin e inerteve, Selman Mihana, dyshohet të jetë kryer nga vrasës me pagesë që mund të kenë ardhur nga zona e Krujës e më pas janë larguar përmes rrugëve dytësore me një automjet Range Rover me ngjyrë të zezë që rezulton të jetë i vjedhur.
Lëvizjet e tyre janë filmuar nga kamerat e sigurisë në zonë, por nuk është arritur identifikimi pasi në kokë mbanin maska. Në atentat dyshohet të kenë marrë pjesë katër persona, të cilët prej ditësh e vëzhgonin Gjeloshajn me dron. Biznesmeni është shprehur se nuk ka konflikte, por po hetohet në tre pista. E para, për konfliktet në biznes, por që personat e dyshuar në lidhej me këtë ngjarje janë marrë në pyetje dhe kanë pasur alibi të fortë.
E dyta është një ngjarje e ndodhur 22 vite më parë, ku dyshohet i përfshirë vëllai i biznesmenit. Ndërsa e treta, një seri vrasjesh në Rrëshen ku dyshohet se Gjeloshi ka pasur informacion për një rast. Gjithashtu biznesmeni dyshohet se ka pasur dijeni edhe për disa krime të ndodhura në Lezhë dhe Fushë-Kuqe.