
TIRANË- Ishin thjesht dy adoleshentë që po shijonin romancën e moshës dhe askush nuk do ta mendonte që në një natë të errët të 14 qershorit të vitit 2018, një prej tyre do të kthehej në viktimë, e tjetri në autor. Kjo është historia e Antonio Karafilit, 18-vjeçarit që u gjet i varur në pemë pas takimit të fundit që pati me të dashurën e tij, Kejsi Spaillari. Takimi i tyre kishte si qëllim sqarimin, pasi Karafili ishte i bindur që Kejsi e tradhëtonte, por siç duket atë mbrëmje mori vesh dhe emrin e personit. Bëhet fjalë për Rexhep Vathin, një 65-vjeçar me origjinë nga Veriu i Shqipërisë por që ishte shpërngulur në Voskopojë për të punuar.
Të dy bashkë, Kejsi Spaillari dhe Rexhep Vathi e mbytën me çarçaf Karafilin dhe më pas inskenuan vetëvrasjen, duke e varur në pemë me të njëjtin çarçaf. Mbetet e paqartë se cili prej tyre ka qenë personi që ka kryer aktin e këtij krimi pasioni. Dyshimet nisën që atë natë, nga vetë fakti që të riun e gjeti e dashura e tij, e cila ishte e para që ia dha lajmin familjes së tij. Madje të vëllait i dorëzoi varësen e tij, orën dhe celularin.
Në dëshminë para hetuesve, e reja u shpreh atëherë, se me Antonion atë ditë ishte takuar rreth orës 17:00 për të sqaruar një sherr që i dashuri i saj kishte me xhaxhin dhe kushëririn e saj. Po ashtu, pretendoi se Antonio kishte bërë skena xhelozie duke e akuzuar atë se kishte një lidhje paralele. E reja shtoi se pas debatit, rreth orës 20:00 ishin ndarë nga njëri-tjetri, ndërsa më vonë, mësoi për ngjarjen e rëndë, kur dhe njoftoi prindërit e viktimës.
E ëma e Antonio Karafilit, Mimoza Karafili nuk është bindur kurrë nga versioni i vetëvrasjes dhe vazhdimisht ka kërkuar drejtësi, duke pretenduar se djali i saj ishte vrarë. Vazhdimisht, ajo kërkonte rihetim dhe bërjen e një ekspertize të re. Ndësa familja e Kejsit shprehej se vajza e tyre nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Një ndër detajet që ka ngjallur dyshime edhe për hetuesit ishte fakti se adoleshenti ishte varur në një degë pishe 1.48 metër nga toka, ndërkohë që ishte rreth 1.8 metër i gjatë. Në thonjtë e të riut u gjetën edhe gjurmë rrëshire pishe, gjë që gjithashtu hidhte poshtë pistën e vetëvrasjes dhe tregonte se 18-vjeçari kishte luftuar deri në momentet e fundit.
Të tjera prova që iu bashkangjitën më vonë dosjes ishin edhe mesazhet e shkëmbyera mes Kejsi Spaillarit dhe të dashurit tjetër të saj, Rexhep Vathi. Në biseda, Rexhep Vathi i shpjegonte 17-vjeçares se do ta mbronte me rrëfimin e tij si dëshmitar në vendngjarje dhe se ajo duhet të bënte kujdes. Ama, i kërkonte edhe një nder, t’i gjente një grua, me të cilën ai të kalonte pjesën e mbetur të jetës.
Vitet kaluan dhe Kejsi Spaillari u largua drejt Kanadasë ku dhe mësohet se ka krijuar familje. Ndërsa Rexhep Vathi nga ana tjetër është raportuar se në gusht të vitit 2024 ka vrarë veten.
Tashmë, me përfundimin e hetimeve, Gjykata e Korçës caktoi sot masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për akuzën e “vrasjes me dashje në bashkëpunim” për Kejsi Spaillarin. Pritet që Prokuroria e Korçës të procedojë me urdhër arresti ndërkombëtar për të renë, e cila ndodhet në Kanada, por do t’i duhet të përballet me drejtësinë në Shqipëri./ZËRI/