
TIRANË- Grupi hetimor ka përftuar ADN mikse pas kryerjes së analizave laboratorike të mostrave të gjetura në vendin ku ndodhi atentati në Lundër ndaj mjetit të “Pelikani Security”. Tashmë me rezultatet e dala po bëhen krahasime që mund të çojnë në identifikimin e personave të përfshirë në atentatin ku mbetën të plagosur katër persona, mes tyre dy të mitur. Gjithashtu, ajo që bëhet me dije është se në vendin ku ishin fshehur autorët janë gjetur disa sende si: çanta, doreza dhe pinca, që janë përdorur për të prerë telin e rrethimit ku po qëndronin bashkë me motorin.
Këqyrja e kamerave të sigurisë ka zbuluar gjithashtu se autorët kanë lëvizur me motor në të njëjtën zonë për disa ditë rresht duke studiuar terrenin. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 17 prillit. Hetuesit kanë kryer edhe disa eksperimente hetimore për të zbuluar itineratin e përshkruar nga autorët. Autorët dyshohet se kanë ndjekur mjetin tip “G Class”, ku po udhëtonin Arens Stafa 34 vjeç, Kian Mullaj 19 vjeç, Marko Bardhi Demiraj 17 vjeç dhe Dior Demiraj 11 vjeç. Të katërt po ktheheshin nga festa e ditëlindjes së 11-vjeçarit që e festuan në Pjezë të Durrësit. Autorët dyshohet se kanë kaluar përmes Vishnjes, Picallës, Saukut, Mjullës, Liqenit të Farkës dhe rrugës së agallarëve. Nga aty kanë dalë në vendin ku dhe i kanë bërë pritë automjetit. Pas plagosjes së 4-fishtë, dy atentatorët e armatosur me dy kallashnikovë dhe me motorin e përdorur për atentatin udhëtuan deri në fshatin Fikas, Elbasan, ku dhe braktisën motomjetin e më pas janë zhdukur./ZËRI/