
TIRANË- Arbër Teqja është rikthyer në faqet e para të mediave në Shqipëri si njeriu që ka fituar me kompaninë “Eco Riciklim shpk” dhe me “MSE shpk” rreth 6.8 milione euro fonde publike. Arbër Teqja është djali i zv/drejtoreshës së QSUT, Arjana Strakosha, e cila mban prej vitesh funksionin publik si zëvëndësdrejtoreshë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke shërbyer për pacientët në shërbimin e Nefrologjisë dhe Hemodializës. Personi që qëndron pas ‘karrierës’ së tij dhe milionave euro të përfituara ndër vite, të denoncuara nga ZËRIqë nga dita e parë e bërjes publike të këtij skandali, është Klodian Allajbeu. Arbër Teqja është pronar me 70 % të aksioneve i kompanisë së grumbullimit, perpunimit, transportit dhe asgjesimit të mbetjeve spitalore ECO RICIKLIM. Ai ka blerë edhe aksione në kompaninë MSE (ish “ASHLAR Group”). "ECO RICIKLIM" e shtriu veprimtarinë e saj në spitalin e Vlorës, Fierit, Elbasanit dhe në atë të Traumës në Tiranë, duke grumbulluar kështu shpejt mbi 1 milion euro. Në total kjo kompani ka marrë 51 tendera, me shumën 405.272.235,04 lekë të reja. MSE (ish “ASHLAR Group”) është themeluar nga Denisa Bishyti në korrik të vitit 2018. 2 vite më vonë ajo e shiti tek Ilda Tërshana, Arbër Liçaj dhe Can Kutay Orten.
Në vitin 2023, Arbër Teqja nis të kamuflohet, duke nxjerrë në skenë një kompani "të huaj" dhe ia kalon 80 % të aksioneve kompanisë Cambridge Pathology B.V., e themeluar në Hagë. Ilda Tërshana, e cila bleu 80 përqind të aksioneve të “MSE” ka qenë për shumë vite drejtoreshë në kompaninë “Evita”, një kompani gjithashtu e lidhur me pronarin e spitalit Amerikan në Shqipëri, Klodjan Allajbeu, i cili ka marrë nga shtetin dhe që zotëronte aksione në shoqërinë koncesionare për shërbimin e Hemodializës, “DiaVita”. Ndërsa Arbër Liçaj ka punuar si inxhiner elektronik në Spitalin Amerikan të Klodjan Allajbeut. Teqja rezulton gjithashtu edhe administrator në “Equos Resort”, i ndërtuar nga Allajbeu.
Zëdhënësja e anti-korrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli denoncoi tenderin e marrë nga Arbër Teqja. Në një deklaratë nga selia blu, Genta Vangeli tha se kompania e Arber Teqjes, djalit të tezes së Amant Josifit, ka fituar me kompaninë “Eco Riciklim shpk” dhe me “MSE shpk” rreth 6.8 milione euro fonde publike. Ajo që vihet re është se denoncimi i bërë nga selia blu, partia opozitare më e madhe në vend, është zhdukur nga të gjitha mediat kryesore që e raportuan. Kjo gjë nënkupton që me shumë gjasë, dikush me shumë ndikim ka ndërhyrë në media për të zhdukur denoncimet. Dhe me shumë siguri, ky person nuk është Arbër Teqja! Por, një person për të cilin, Opozita sakrifikoi dy komisione hetimore. Pak javë më parë, Parlamenti miratoi me 95 vota pro dhe 1 abstenim nga socialisti Erjon Braçe ngritjen e komisionit për hetimin e dy koncesioneve në shëndetësi, të sterilizimit dhe check-upit. Por Rithemelimi i drejtuar nga kryedemokrati Sali Berisha la jashtë hetimit parlamentar dy koncesionet e tjera në shëndetësi të Dializës dhe Laboratorëve, të dyja të lidhura me biznesmenin e Spitalit Amerikan Klodian Allajbeu. Një ditë më vonë, Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Azgan Haklaj deklaroi së fundmi se pronari i spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeu është ortak me Shkëlzen Berishën dhe se sipas tij, kjo është arsyeja se përse Rithemelimi nuk kërkoi komision për koncesionet që lidhen me Spitalin Amerikan.