
TIRANË- Këngëtarë, pilotë të “Formula Uno” dhe yje botërorë ishin kthyer në pretë e preferuara të një grupi grabitësish që drejtoheshin nga Edison Pula. Mediat franceze shkruajnë se 7 shqiptarë janë vendosur në pranga në Francë, ndërsa 5 të tjerë janë kapur në Belgjikë pasi me në krye Edison Pulën ishin kthyer në një grup të rrezikshëm grabitësish.
Adresat e “shënjestrave” i gjenin në rrjetet sociale dhe pasi i vëzhgonin, u futeshin në banesa për të marrë bizhuteri, çanta, ora dhe çdo gjë tjetër me vlerë. Në total kanë vjedhur më shumë se 1 milion euro sende.
Vetë Edison Pula është arrestuar në Luksemburg në fund të janarit të këtij viti. 2 anëtarët e parë të grupit u kapën më 20 janar në Luksemburg, ndërsa 5 të tjerët u kapën më 4 mars në zonën e Reims në Francë.
Policia franceze e ka cilësuar si një nga operacionet më të rëndësishme goditjen e kësaj bande, kjo për shkak se Pula është një përsëritës. ADN-ja e tij u gjet në më shumë se tridhjetë vjedhje të kryera midis qershorit 2022 dhe shtatorit 2024. Ai ishte gjithashtu i njohur për arratisje të shumta.
Edison Pula, kërkohet edhe nga Shqipëria me njoftim të kuq në Interpol për vrasje të mbetur në tentativë. Edison Pula dyshohet se bashkë me 8 persona të tjerë, më 19 shtator të 2016 i vunë eksploziv automjetit të ish-policit të burgjeve, Gentian Bejtja, i cili mbeti i plagosur rëndë. Por edhe pse u vu në pranga, ende nuk është ekstraduar në Shqipëri.