Video

Gratë dhe vajzat e revoltës në Rrjoll: “Kemi vetëm zërin tonë për të mbrojtur tokën tonë”

Në vijën e parë të kësaj përballjeje janë vajza, gra dhe nëna, të cilat mes frikës, presionit dhe përgjegjësisë për familjen, thonë se nuk kanë zgjedhje tjetër përveçse të kërkojnë të drejtën e tyre. Për shumë prej tyre, kjo betejë nuk është vetëm për pronën, por edhe për dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Loreta Koleci
Gratë dhe vajzat e revoltës në Rrjoll: “Kemi vetëm
Marjana Pjeshka dhe Luçiana Kokaj

BASK-RRJOLL- Në Rrjoll të Velipojës, gratë dhe vajzat janë kthyer në simbolin më të fortë të rezistencës së banorëve kundër ndërtimit të resortit “Blue Borgo”. Mes tensioneve, përplasjeve dhe shoqërimeve në polici, ato kanë zgjedhur të dalin çdo ditë në protestë për të mbrojtur tokën që thonë se u përket familjeve të tyre prej brezash.

Në vijën e parë të kësaj përballjeje janë vajza, gra dhe nëna, të cilat mes frikës, presionit dhe përgjegjësisë për familjen, thonë se nuk kanë zgjedhje tjetër përveçse të kërkojnë të drejtën e tyre. Për shumë prej tyre, kjo betejë nuk është vetëm për pronën, por edhe për dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Dy nga zërat më të fortë të kësaj proteste janë Luçiana Kokaj dhe Marjana Pjeshka, të cilat rrëfejnë këtë 8 Mars për ZËRI-n arsyet e revoltës, përballjen me institucionet dhe mesazhin që kanë për banorët e zonës dhe për gratë në gjithë Shqipërinë.

I ndjekim!

Loreta Koleci: Luçiana, shumë kënaqësi njëherë që të kam këtu edhe që po bisedojmë bashkë. Besoj që je mësuar tashmë me dal nëpër kamera me fol për këtë gjënë. Unë doja të të pyes njëherë, si ka nisur revolta dhe guximi juaj për me u përball me këtë gjënë?

Luciana Kokaj: Tani revolta... nga padrejtësitë, nga pamështetja e shtetit, nga mosfunksionimi i shtetit, nga kjo padrejtësi shumë e madhe që ashtu ju bëhet të gjithëve neve. Me thënë të drejtën nuk e kisha menduar që do isha kaq e fortë. Absolutisht mbështetja e të gjithëve, absolutisht edhe halli i madh që na ka rënë, ne e kemi një shprehje: thirri nevojës. Edhe kam përshtypjen që ky ka qenë rasti që nevoja të bëhet me u bë më i fortë, për të mos tu trembur edhe para disa intimidimeve që mundohen me t'u bë dhe para disa fjalëve që thuhen, dhe para disa kërcënimeve ndoshta në mënyrë indirekte.

Loreta Koleci: Revoltë ka, ju jeni ballë aty, ju po kërkoni të drejtën tuaj dhe më e bukura është që në ballë të kësaj ka gra si ty, ka gra të tjera plot.

Luçiana Kokaj: Më marrin prej toke, më çojnë në rajon, më shoqërojnë një ditë po, një ditë jo, sa herë ju jepet mundësia. Si ka mundësi që unë s'e theva një xham aty? Kë kam dhunuar pronën e tjetrit? Po atë pronën time që je tu e dhunu? Pse nuk po e heton? Në qoftë se neve na marrin direkt, na çojnë në komisariat, na arrestojnë, pse nuk e marrin edhe Fatmir Shpezën me e çu në prokurori, me e mbajt para burgim deri kur të vërtetohet se si janë pronat, e si është e vërteta e kësaj pronës. Ne jo, ne na shkojnë, atë jo, nuk e marrin, se ai ka mbrapa Bashkim Ulajn.

Mesazhi që Luçiana dha për ZËR-n në këtë 8 Mats ishte thirrje pët bashkim përballë padrejtësive kudo dhe kurdo që të ndodhin, sidomos për banorët e Rrjollit.

“Unë kam një mesazh për banorët e Velipojës edhe të Rrjollit, ndoshta edhe më përtej. Një gjë ta dini të gjithë: Në qoftë se ky resorti punë ndalon dhe bie dakord me këta banorë, ta dini që nuk do të ketë investitor strategjik që do vijnë te prona juaj pa u marrë vesh me ju. Është momenti me i dhënë shembull tanë Shqipërisë, edhe tanë atyre që duan me na zaptu. Të çohemi të tërë bashkë, e të bëhemi më të fortë, që nesër zëri me na u dëgjuar më fort.”- tha ajo.

Një nga zërat më të fortë të protestës së Rrjollit është edhe 28-vjeçarja Marjana Pjeshka e cila është nënë e një djali të vogël dhe që prej vitesh jeton në Londër. Ajo është kthyer në Shëipqëri për të mbrojtur tokën e të parëve të saj. Marjana tregon për ZËRI-n se nuk është e lehtë që të shohë çdo ditë familjarët e saj duke u arrestuar dhe dhunuar nga policia.

Marjana Pjeshka: Nuk është shumë e lehtë. Është një situatë shumë e mërzitshme. T'u shiku për çdo ditë babin tim, fëmijët e mi, atë djalin e vogël që i ka ra grusht, xhaxhin tim që i ka ra te koka, njerëzit që i marrin me ambulancë për çdo ditë. Ne jemi vetëm duke kërkuar të drejtën tonë, në tokën tonë. Edhe është e padrejtë kjo çfarë po bëhet te toka jonë. Neve na del zëri se nga mërzia, nga gjithë kjo padrejtësi që po bëhet kundraj nesh. Edhe e ngremë se jemi të mërzitur, se ne nuk kemi armë tjetër, vetëm zërin tonë kemi dhe asnjë gjë tjetër.

Loreta Koleci: Po si është për ty me atë fëmijën e vogël që e ke në shtëpi?

Marjana Pjeshka: E vështirë është, kam djalin tim. I mërzitur është boll fort. Më kërkon për çdo ditë. Por unë kam ardhë këtu për të mbrojt pronën time, e gjyshit tim.

Loreta Koleci: Me thënë të drejtën bashkë me gratë edhe vajzat e Durrësit, keni qenë shumë frymëzuese. Në kamera dhe në publik shfaqeni të gjitha në fakt edhe banorët e tjerë, shfaqeni shumë të fortë.

Marjana Pjeshka: Kemi forcë, kemi fuqi, nuk dorëzohemi kollaj neve. Jemi malësore.

Mesazhi i Marjanës për 8 Mars ishte i shkurtër dhe i qartë: “Ju gra, kërkoni të drejtat tuaja, ju jeni me neve, na ndihmoni... mos kini frikë nga asnjë njeri.”

Protesta e Rrjollit shërben si një mesazh i fuqishëm për gratë e gjithë Shqipërisë: kur qëndrojnë të bashkuara dhe të vendosura, zëri i tyre mund të sfidojë padrejtësitë dhe të mbrojë tokën, dinjitetin dhe të ardhmen./ZËRI

Poll

MOS HUMB