
TIRANË- Një situatë e paprecedentë ka ndodhur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku gardistët kanë shtyrë gazetarin Ardit Hoxha, në mënyrë që të mos hynte në sallën e mbledhjeve. Në videon e siguruar nga ZËRI, shihet momenti kur gardisti i afrohet gazetarit Hoxha dhe e shtyn për ta nxjerrë jashtë, pavarësisht se prania e mediave nuk është e ndaluar në mbledhje dhe brenda saj, duket qartë që ndodhen edhe gazetarë të tjerë.
Mbledhja ishte caktuar për të nisur në orën 12.00, por salla ishte bllokuar nga deputetët e opozitës, të cilët fillimisht hasën në rezistencën e punonjësve të Gardës së Republikës, por më pas janë lejuar që të futen në sallë, duke bllokuar dëgjesën me Shoqërinë Civile. Pas përplasjeve, brenda në mbledhje janë futur dhe gazetarët, mes tyre Ardit Hoxha, i cili përfundoi duke u nxjerrë jashtë në mënyrë të dhunshme./ZËRI