
TIRANË- Ajo që ndodhi në oborrin e shkollës “Fan S. Noli”, vrasje me paramendim e një 14-vjeçari nga një bashkëmoshatar na sjell në mendje të gjitha konfliktet mes fëmijëve e adoleshentëve që kanë nisur nga rrjetet sociale, nga një fjalë e thënë dhe kanë përfunduar në plagosje, dhunë dhe në rastin më të rëndë në vrasje, siç ishte ajo që ndodhi me Martin Canin.
Mario Prelleshi, gjithashtu 14 vjeç, u nis bashkë me një grup miqsh drejt shkollës “Fan Noli” për tu përballur me Canin, me të cilin ishte përplasur ditën e premte dhe gjatë pushimit të gjatë të 18 nëntorit, por që të dyja përplasjet, u neglizhuan nga çdo hallkë përgjegjëse për sigurinë në institucionet arsimore.
Dhe në mbarimin e mësimit, Prelleshi, tashmë nën shoqërinë e miqve të tij, kishte vendosur ta çonte deri në fund sherrin e lënë në gjysmë. Sërish, nën hundën e çdo autoriteti, ai arriti të hyjë në shkollë me thikë dhe e gjithë përplasja përfundoi me vrasjen e Canit dhe plagosjen e mikut të tij, Luis Meçe.
Tashmë Prelleshi është arrestuar, por nga veprimet e bëra pas krimit, duket se prej tij nuk ka pasur asnjë shenjë pendese. Ai ka hedhur foto në rrjetet sociale, pasi ka vrarë Martin Canin, ku dallohet thika me të cilën ka kryer krimin dhe dora që i është plagosur.
Kjo ishte një vrasje e paralajmëruar. Një krim i pasuar nga një tjetër që ndodhi në Gramsh edhe pse disa metra larg oborrit të shkollës, pas plagosjes së ndodhur gjatë orëve të mësimit në Fushë Krujë dhe pas dhjetëra sherreve që janë raportuar ndër vite mes adoleshentëve, por që me kalimin e kohës, kanë mbetur thjesht statistika.
Qyteti i Gramshit u trondit kur si pasojë e një konflikti që ndodhi mes pesë adoleshentësh pranë shkollës “Asllan Shahini”, mbeti i vrarë nxënësi i klasës së nëntë, Fatjon Bici. Një tjetër, i identifikuar si Marko Liçi mbeti i plagosur. Sherri nisi në ambientet e shkollës, ku u përfshinë në konflikt me njëri-tjetrin 5 nxënës të klasës së 9-të, por u vijua pas mbarimit të mësimit dhe u mbyll me një të vrarë e një të plagosur.
Vetëm një muaj më parë, shkolla “Shote Galica” u përgjak pasi dy bashkëmoshatarët Klisman Dani dhe Leonit Muça u përleshën me njëri-tjetrin. Në sherr e sipër Muça e qëlloi Danin me thikë në qafë, i cili u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.
Një vit më parë, një tjetër sherr përfundoi me dy të plagosur që u përleshën në një shkollë në Pogradec. Të dy pësuan dëmtime në trup dhe në fytyrë.
Në vitin 2017, një 17-vjeçar u plagos me thikë nga bashkëmoshatari i tij pas një sherri në ambientet e shkollës ekonomike në Sarandë. Të gjitha këto ngjarje e shumë të tjera nuk kanë marrë vëmendjen e duhur nga autoritetet, kanë kaluar në heshtje dhe fokusin e ka marrë qëllimi për të shmangur përgjegjësinë nga shkolla. Në të gjitha rastet është vendosur kryefjala tek termi ‘pranë shkollës’ me qëllimin e vetëm për të shmangur përgjegjësinë institucionale dhe të mos paturit në fokus edukimin për mospërsëritjen e rasteve. Në këtë mënyrë, ne do të vijojmë të numërojmë nxënësit që përleshen e vriten në shkolla, siç ndodhi tek “Fan Noli”, tre ditë pasi ishte mbajtur një orë ndërgjegjësimi me temën "Të Drejtat dhe Mbrojtja e Fëmijëve" e ndërsa Ministria e Arsimit bën thirrje për të zbardhur një ngjarje, të ndodhur në ambientet e një institucioni ku të vegjëlve duhet që minimumi të mos ju cënohet siguria e jo të dalin të pajetë që aty./ZËRI/