
TIRANË- I shumëkërkuari që rezulton i zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit të vitit 2022, Ervis Martinaj ka kërkuar të vrasë Durim Bamin. Në njoftimin e publikuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bëhet me dije se Martinaj ka bashkëpunuar me ish-deputetin Arben Ndoka për vrasjen e Bamit. Sipas SPAK, Martinaj dhe Ndoka kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe në zonën e Burrelit. Gjithashtu, bëhet me dije se Emiljano Shullazi dhe Aldo Avdylaj, edhe pse në kushtet e paraburgimit kanë ndihmuar Ervis Martinajn dhe Arben Ndokën në realizimin e qëllimit kriminal që ishte vrasja e Durim Bamit. Shullazi ka kontaktuar me një tjetër person, të cilit i ka kërkuar të jetë ekzekutori i Bamit dhe gjithashtu ka siguruar detaje nga lëvizjet e tij, informacione që ia kaluar Ndokës.