Video

Tentativa vrasjesh mes rivalëve Bami&Duka-Martinaj&Ndoka

Martinaj ka kërkuar të vrasë edhe Durim Bamin, ngjarje për të cilën ka bashkëpunuar me ish-deputetin Arben Ndoka, Emiljano Shullazin dhe Aldo Avdylajn.

F.m
Tentativa vrasjesh mes rivalëve Bami&Duka-Martinaj&Ndoka
Arben Ndoka, Ervis Martinaj, Durim Bami dhe Leonard Duka

TIRANË- Shtatë grupe kriminale që kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për eliminimin e armiqve të përbashkët janë goditur nga operacioni i zhvilluar së fundmi nga SPAK. Një prej ngjarjeve në të cilën është hedhur dritë rezulton të jetë dhe atentati ndaj Preng Gjinit. Sipas SPAK, Edison Reçi ka organizuar vrasjen e Gjinit me qëllim hakmarrjen dhe ndihmohej nga Klodian Shahini, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, që i jepte informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e Gjinit. I shumëkërkuari që rezulton i zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit të vitit 2022, Ervis Martinaj ka kërkuar të vrasë Fatmir Hysenin, i njohur ndryshe dhe si Doqja për të marrë hak për vrasjen e Santiago Malkos. Martinaj ka kontaktuar Viktor Imerin, i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim dhe i ka kërkuar vrasjen e Hysenit. Martinaj ka kërkuar të vrasë edhe Durim Bamin, ngjarje për të cilën ka bashkëpunuar me ish-deputetin Arben Ndoka, Emiljano Shullazin dhe Aldo Avdylajn. Nga ana tjetër, Durim Bami ka lidhur aleancë me Leonard Dukën, armikun e përbetuar të ish-bosit të lojërave të fatit. Bami e Duka kishin planifikuar eliminimin e Martinajt dhe të ish-deputetit Arben Ndoka. Gjatë operacionit, sipas SPAK, janë gjetur dhe sekuestruar pasuri me vlerë mbi 4,5 milion Euro. Në total janë lëshuar 50 urdhërarreste, 14 prej tyre janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 6 jashtë vendit, dy në Itali, një në Gjermani, një në Spanjë dhe dy në Belgjikë.

 

Poll

MOS HUMB