
FUSHË KRUJË- Ish-polici i burgjeve Gentjan Bejtja është vrarë në oborrin e shtëpisë së tij në Fushë Krujë. Ky është atentati i katër që realizohet kundrejt Bejtjas. Të treja herët e para, ai ka shpëtuar, duke mbetur i plagosur. Herën e parë, u tentua të vritej në shtator të vitit 2016, ndaj tij u bë një atentat me tritol, kur Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë. Më pas, në 9 janar të vitit 2022 Gentian Bejtja, ish-polic burgu, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka. Herën e tretë atentati u realizua në korrik të vitit 2023.
Viktimë mbeti kunati i Bejtjat, Ramazan Sino, ndërsa dy djemtë njëri 18 dhe tjetri 13 mbetën të plagosur. Bejtja ishte njëri nga njerëzit që piu kafe me Enver Stafukën, pak minuta para se ky të rrëmbehej dhe të zhdukej në mes të Fushë-Krujës. Ai njihej dhe si mik i Durim Bamit. Bejtja është lakuar si personi që bashkë me Enver Stafukën kanë vjedhur makinën me të cilën u krye vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt. Gjithashtu, Gentian Bejtja është shoqëruar për dy atentate, atë kundrejt Ilias Çalit që mbeti i vrarë në autostradën Tiranë-Durrës, dhe atë ndaj Marklen Hakës, i cili shpëtoi, por plumbat i morën jetën hallës së tij.