
TIRANË- "Mafia shqiptare vazhdon të zgjidhë mosmarrëveshjet e saj në tokën greke…,"-kështu e nis artikullin media greke "Espresso", e cial ka zbuluar detaje të tjera lidhur me plagosjen e Adriatik (Andreas) Kalemi. Autori i plagosjes, një 28-vjeçar egjiptian tentoi t'i presë arterien karotide shqiptarit duke përdorur një bisturi.
Autori dyshohet se është pajtuar nga kreu i një tjetër bande shqiptarësh, që ndodhen të prangosur në një tjetër burg. Kalemi i ka shpëtuar një atentati natën e 9 gushtit 2023 në Paxos, teksa ishte me pushime me tre fëmijët dhe gruan e tij. Ai u qëllua 10 herë me armë zjarri.
Kalemi është daja i Aleksandër Sadikajt, i cili është ekzekutuar me urdhër të biznesmenit Edmond Papa. Disa muaj më vonë biznesmeni Papa u ekzekutua në Tiranë. Për vrasjen e Papës u arrestua miku i Kalemit, Albano Velo dhe Andrea Bode u shpall në kërkim. Kalemi është bashkëpronar i firmës "Shiza Kalemi" në qytetin e Memaliajt.
Në vitin 2001, Kalemi u arrestua nga forcat speciale shqiptare RENEA. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar nga organet e drejtësisë belge, pasi u akuzua për vrasjen vëllezërve shqiptarë Mevlan dhe Adriatik Çaça, në bashkëpunim me vëllain e tij, Fatmir Kalemi.