
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe propozoi që vajzave dhe grave në Shqipëri t’u njihet e drejta për të marrë raport gjatë ciklit menstrual, i cili duhet të paguhet nga buxheti i shtetit. Sot, në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, teksa diskutohej buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë, deputeti Erion Braçe propozoi gjithashtu që paketa higjieno-sanitare për ditët e ciklit të përjashtohet nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Duke zbuluar se përveç TVSH 20%, këto produkte paguajnë 10% edhe për kalimin e tyre në doganë. Ndaj edhe kërkoi sërish nga kolegët e tij solidarizim në pranimin e amendamendit të tij. Sipas tij, paketa për gratë e vajzat, nuk është vetëm në favor të tyre por edhe për shoqërinë në përgjithësi, për shëndetin seksual dhe riprodhuar.
Fjala e PLOTË e Erion Braçes:
Tani do më lejoni për të bërë një propozim që për hir të së vërtetës nuk u diskutua kur u diskutua paketa fiskale në diskutim. Natyrisht që nuk është propozim thjesht i imi, por është diskutuar edhe me zonjat që janë në parlamentin e Shqipërisë deputete dhe që i adresohet vajzave dhe grave. Nuk është shpikja ime personale dhe nuk vjen nga hapësira. Që në vitin 2006 ka një direktivë të Bashkimit Europian. I kushton vëmendje kujdesit shëndetësor dhe mirëqënies seksuale dhe asaj të riprodhimit që është një proces jetik për gratë dhe vajzat, burrat dhe për shoqërinë në kushtet që ne ndodhemi. Kjo direktivë e Komisionit Europian e konsideron këtë gjë, një çështje të rëndësishëm të shëndetit të grave dhe të vajzave. Kërkon dhe orienton tatimin mbi vlerën e shtuar. Direktiva është që në vitin 2006 e Komisionit Europian. Përtej kësaj direktive, ka një rezulutë për këtë çështje. është një çështje themelore e shëndetit riprodhues, pa barriera fiskale. Janë të dyja dokumenta europiane, mbi bazën e të cilave ngrihet propozimi. Ka edhe vende që e kanë përjashtuar nga TVSH, por ka edhe vende që i japin falas këto paketa higjenike. Unë nuk mendoj se i japim dot falas, por na duhet të bëjmë këtë hap njëherë për TVSH. Sa kohë që kjo është një çështje shëndeti dhe sa kohë që çdo material tjetër që lidhet me shëndetit i kemi çliruar nga TVSH, natyrisht që e gjej me vend që të propozoj përjashtimin të të gjithë produkteve që përfshihen në kodin doganor 96.00 dhe 96.00.30. Këto paketa paguajnë 20% TVSh dhe më keq akoma paguajnë edhe tarifë doganore 10%. Gratë dhe vajzat janë gjysma e popullsisë në vend. Mendoj gjithashtu që ne burrat i kemi një borxh shumë të madh po të doni familjar por edhe nga pikëpamja ekonomike. Duhet t'i kthejmë grave dhe vajzave diçka për shëndetin e tyre. Është jo vetëm i familjes por edhe për shoqërinë mbarë. Sa kohë që riprodhimi është element kyç për shoqërinë dhe jemi të ndikuar nga emigracioni dhe sa kohë që duam që të shtojmë numrin e shqiptarëve që banojnë këtu..duhet të kthejmë një gjë për gratë dhe vajzat. Me aksesin e çliruar nga çdo barrë fiskale është i rëndësishëm për to, por edhe për ne, edhe për shoqërinë mbi të gjitha. Mos harroni se i kemi një borxh shumë të madh. Kontributi i tyre në rritjen ekonomike si punë e papaguar, po pastaj kontributi i tyre në ekonominë kombëtare si nënpagim, natyrisht që na fut në borxh me gjysmën e shoqërisë të këtij vendi. Burrat kanë mbaruar punë, nuk janë brenda kësaj pakete.../Zëri.ai