
TIRANË- Drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi i është sekuestruar celulari me urdhër të SPAK. Përveç Cenos që është në cilësinë e titullarit të institucionit, SPAK ka sekuestruar dhe telefonat e shefit të kabinetit të tij, Elird Qendro dhe drejtorit të rimbursimeve, Gjergj Smokthina. Klosi po hetohet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe mashtrim dhe falsifikim dokumentash. E gjitha mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike. Njëra mban datën 3 korrik dhe tjetra 13 dhjetor të vitit të shkuar. Më 23 dhjetor 2021, Klosi u emërua në krye të Tatimeve, duke zëvendësuar Delina Ibrahimaj. Më herët, ai ka punuar si drejtor ekonomik pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe së fundmi ishte drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.