
TIRANË- Pas 3 vitesh në krye të Parlamentit, Lindita Nikolla në mënyrë të beftë njoftoi dje largimin e saj nga posti i dytë më i rëndësishëm në hirearkinë e institucioneve në vend, për arsye shëndetësore. Nikolla mori fjalën pothuajse në fund të seancës maratonë në Kuvend, ku pati një lutje për opozitën dhe kundërshtarët e saj politik, që të mos spekulohej në lidhje me arsyet e largimit të saj. Dukshëm e prekur, Nikolla tha se gjendja shëndetësore me të cilën po përballet, ia pamundëson asaj vazhdimin e ushtrimit të detyrës në krye të Kuvendit.
Pavarësisht dorëheqjes si kryetare Kuvendi, Lindita Nikolla do të vazhdojë që të gëzojë mandatin e deputetes, ndërsa tha se këtë kohë do të mund ta shfrytëzojë edhe për të qenë më pranë zgjedhësve që e mbështetën 3 vite më parë.
Pavarësisht se Nikolla këmbënguli, se doreheqja e saj lidhet tërësisht me arsye personale dhe shëndetësore, në rrjet nuk kanë munguar spekulimet, se ky largim lidhet me Kongresin e Partisë Socialiste që pritet të mbahet ditën e nesërme, e ku surprizat nga kryeministri Edi Rama, janë tërësisht të pritshme.
Lindita Nikolla u zgjodh kryetare parlamenti në 10 Shtator të vitit 2021, me votat e socialistëve, dhe me opozitën që grisi fletët e votimit në sallë në shenjë proteste. Rruga e Nikollës, që prej asaj dite nuk do të ishte e lehtë, edhe për shkak të autoritetit të saj të munguar përballë shumicës socialiste në sallë, që e kishte zgjedhur dhe mbështetur. Më herët Nikolla kishte mbajtur poste drejtuese në fushatën e socialistëve, por edhe në qeveri, si ministre arsimi.
/ZËRI