
TIRANË- Pas më shumë se një viti diskutimesh, Kuvendi edhe në këtë sesion parlamentar nuk ka arritur që të gjejë dakordësinë për rritjen e pagave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Një rritje e tillë kërkon dakordësinë e të paktën 84 deputetëve, gjë e cila nuk është arritur as në seancën maratonë të ditës së djeshme.
Teksa kjo pikë e rendit të ditës u kalua për votim, 74 deputetë u shprehën pro, dhe 1 kundër. I vetmi që u rreshtua kundër nga deputetët socialist, ishte Fatmir Xhafaj, i cili dhe më herët ka deklaruar qëndrimin e tij kritik për këto ndryshime.
Projektligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë që prej vitit të kaluar, me propozimin e vetë Gjykatës Kushtetuese, parashikon që paga e një gjyqtari kushtetues të jetë rreth 644 mijë lekë, ndërsa e kryetarit të kësaj gjykate në vlerën rreth 773 mijë lekë.