TIRANË- SPAK dhe BKH kanë ushtruar kontrolle në banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet në periferi të Tiranës. Sipas burimeve, kontrolle janë kryer edhe në Ministrinë e Mbrojtjes drejtuar nga Ermal Nufi, ku janë sekuestruar një sërë dokumentesh. Mësohet se aksioni është shtrirë edhe në banesat e Ardi Veliut, administratorit të KAYO të cilit i është sekuestruar telefoni, si dhe kontrolle në banesën e Arjeta Pucës, pronare e kompanisë TIMAK. Hetimet po zhvillohen pas përgjimeve të publikuara nga ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, për trafik armësh përmes Kayo. Ahmetaj deklaroi se disponon informacione dhe materiale që, sipas tij, lidhen me një strukturë të organizuar për trafikimin e armëve, duke pretenduar se armët vijnë nga vende të Afrikës, paketohen në Shqipëri dhe më pas dërgohen drejt destinacioneve të tjera. Po ashtu, Ahmetaj përmend edhe ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, të cilin e identifikon me pseudonimin “Ermal Raketa”, duke pretenduar se ky emërtim lidhet me rolin e tij pikërishr në çështjet e ngritura. Me nisjen e verifikimeve nga SPAK mbetet për tu parë nëse Shqipëria është e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve.
/ZËRI