
TIRANË- Një deklaratë e bërë nga kreu i “Partia Mundësia”, Agron Shehaj ka hapur debat. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj propozoi shkurtimin e buxhetit të administratës dhe një prej pikave që preku është ai për Radio Televizionin Shqiptar.
Sipas Shehajt, RTSH i kushton shtetit shqiptar 30 milionë euro në vit pasi ka 3 mijë të punësuar. Ai ka bërë një krahasim me televizionin kombëtar privat “TV Klan”, duke u shprehur se mbahet me vetëm 300 punonjës. Sipas Shehajt, me performacën që ka RTSH-ja mund të funksionojë shumë mirë me 5 milionë euro dhe në këtë mënyrë, shqiptarëve u kursehen 25 milionë euro. Mirëpo, me këtë gjë nuk ka rënë dakort Arlind Qori, kreu i partisë “Lëvizja Bashkë”. Sipas Qorit, RTSH-ja, si çdo institucion publik, mund dhe duhet kritikuar, por sipas tij, është e vetmja dritare televizive jokomerciale, ku qytetari mund të ndjekë muzikë klasike, një shfaqje teatrale apo një diskutim mbi kulturën. Kreu i “Lëvizja Bashkë” nuk bie dakort as për krahasimin me Tv Klan, për të cilin thotë se është një televizion oligarkësh. Sindikata e Radio Televizionit Shqiptar ka reaguar gjithashtu dhe shprehet se Shehaj e ka kaluar vijën e kuqe duke kërkuar largimin nga puna të qindra punonjësve me qëllim kursimin e buxhetit të shtetit. Sindikata kërkon edhe reagimin e institucioneve ndërkombëtare.