
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka deklaruar sot publikisht se është shantazhuar përmes disa mesazheve që i janë dërguar në aplikacionin “Signal”. Bardhi u shpreh se një numër i paidentifikuar, që mbante pseudonimin "Mbreti Zog" i ka dërguar disa dokumente duke bashkangjitur dy emra të njohur të botës së krimit, Ervis Martinaj që rezulton i zhdukur dhe Erigers Mihasi që është vrarë. Në dokumente është një bisedë e dalë nga Sky ECC që zhvillohet mes Martinajt dhe Mihasit. Në një pjesë Martinaj shprehet se i ka dërguar 100 mijë euro Bardhit tek Hotel Mondial. Por, sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, këto mesazhe janë të montuara dhe po përdoren për t’i bërë shantazh. Bardhi shprehet se mesazhet i janë dërguar për ta intimiduar në ushtrimin e detyrës deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe se vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, publikoi disa biseda të bëra në aplikacionin "SkyECC", në të cilat pretendohej se kreu i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, ishte vendosur për të ndihmuar në aktivitetin kriminal të Pëllumb Gjokës. Për këtë gjë, Bardhi ka vënë në dijeni SPAK, Ambasadën Amerikane në Shqipëri, delegacionin e Bashkimit Europian dhe Ambasadën britanike.