
DIBËR- Irini Shehu, ish-drejtoresha e Spitalit Rajonal të Dibrës është vënë në pranga disa javë pasi u shkarkua nga detyra pasi goditi me një mjet metalik shefin e Financës, Shaban Uklala. Por, teksa ajo hetohej në gjendje të lirë, disa punonjës të tjerë të spitalit e kanë denoncuar për fyerje dhe kërcënime. Rasti i fundit ka qenë i një dite më parë, ku policia njoftoi se është bërë një tjetër procedim ndaj Shehut pasi dyshohet se ka kërcënuar me sms dhe thirrje telefonike kryeinfermieren. Kryeinfermierja Shpresa Biçi ka bërë fjalë me ish-drejtoreshën dhe ka bërë kallëzim në polici se e ka kërcënuar. Më pas Shehu është marrë në polici për tu pyetur. Ish-drejtoresha ka përndjekur disa punonjës të spitalit, por ende nuk janë bërë me dije detaje se çfarë ka ndodhur konkretisht me të dhe ish-vartësit e saj. Në momentin që do të arrestohej, Shehu ka tentuar tu shpëtojë prangave, duke pretenduar se gjendja e saj shëndetësore ishte e rënduar dhe vijoi të qëndronte në dhomën e spitalit, nën monitorimin e Policisë së Shtetit.
/ZËRI