
TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka po hetohet nga SPAK për akuzën e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës, pasi sipas Prokurorisë së Posaçme, ajo thirri në zyrat e Avokatit të Popullit dëshmitaren Ina Goxhaj, të cilës iu mor telefoni dhe iu kërkua të mos fliste.
Goxhajn, prokurorët e kishin thirrur për çështjen e kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj. Sipas SPAK, ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se Klotilda Bushka ka kryer veprime aktive të kundërligjshme. Në dosjen e SPAK, të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha thuhet se takimi i parë është zhvilluar me Klotilda Bushkën në banesën e kësaj të fundit në zonën e Shkollës së Kuqe. Goxhaj ka treguar në dëshminë e saj se Klotilda Bushka, të cilën e ka kushërirë, e ka urdhëruar që të mohonte gjithçka kur të merrej në pyetje.