Video

SPAK: Gazetarët marrin ‘leje’ për të publikuar informacione

Aktualisht, pala mbrojtëse e gazetarit Qyno, e përfaqësuar nga avokati Dorian Matlija kërkon asgjësimin e të gjitha materiale që SPAK ka mundur të aksesojë nga telefonat dhe kompjuterat e gazetarit.

F.m
SPAK: Gazetarët marrin ‘leje’ për të publikuar
Përballja në Gjykatën Kushtetuese

TIRANË- Prokurori i Posaçëm Bledar Maksuti ka pranuar se shumë gazetarë që disponojnë materiale të dosjeve të ndryshme që janë në dorën e SPAK, kërkojnë ‘leje’ për t’i publikuar ato. Teksa mbahej seanca për gazetarin Elton Qyno, Maksuti tha se gazetarë të të njëjtit nivel të hetimit kanë pasur në dorë informacione të tilla dhe i kanë kontaktuar. Fillimisht për të ditur nëse ky informacion është i vërtetë dhe më pas, për të pyetur nëse mund të vijojnë me publikimin e tij apo jo. Kryetarja e Kushtetueses Holta Zaçaj e pyeti prokurorin e SPAK nëse kishte ndonjë bazë ligjore apo praktikë që gazetarët duhet të marrin leje në SPAK kur duan të publikojnë një informacion sekret për një çështje. Në përgjigjen e tij prokurori u shpreh se nuk ka një detyrim ligjor për këtë praktikë, por se është detyrim etik.

Gazetari Elton Qyno u mbajt për rreth 11 orë në ambientet e SPAK në 14 dhjetor, dhe me një urdhër nga GJKKO iu sekuestruan dy telefonat dhe iu kontrollua banesa. Gjatë marrjes në pyetje, gazetarit iu kërkua të tregonte burimin e informacioneve, të cilat i kishte publikuar në media lidhur me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani. Sipas SPAK, materialet e publikuara në media, përputheshin me komunikimet e Nuredin Dumanit me persona të tjerë në aplikacionin “Sky ECC” dhe për këtë arsye, Elton Qynos i është kërkuar të tregonte sesi i kishte siguruar materiale të tilla që ishin pjesë e akteve hetimore. Ndaj gazetarit po zhvillohen hetime për 2 vepra penale si “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Ndalimi i dhënies dhe i shpalljes së të dhënave në kundërshtim me ligjin”. Në mbrojtje të tij, Qyno thotë se po i dekonspirohen burimet dhe e quan aksionin e SPAK si të paligjshëm. Aktualisht, pala mbrojtëse e gazetarit Qyno, e përfaqësuar nga avokati Dorian Matlija kërkon asgjësimin e të gjitha materiale që SPAK ka mundur të aksesojë nga telefonat dhe kompjuterat e gazetarit.

Poll

MOS HUMB