
TIRANË- Mifit Balla humbi djalin e tij, Bujarin vetëm 39 vjeç nga kanceri në stomak. Disa muaj pas tragjedisë, Mifiti me origjinë nga Librazhdi por që prej vitesh jeton në Tiranë, ka drejtuar "gishtin" nga spitali Onkologjik dhe shprehet se mjekët nuk e kishin trajtuar të birin me ilaçet e nevojshme për sëmundjen e tij, duke i kushtuar kështu edhe jetën. Në rrëfimin e tij për "ReportTv", Balla tregon se për herë të fundit djalin e kishte dërguar në Onkologjik më datë 3 korrik për të marrë kurën e zakonshme. Por mjekimi nuk iu dha për shkak të mungesës së ilaçit Irinotecan, gjë që u pranua dhe nga vetë QSUT. Edhe pse ishte ankuar në të gjitha instancat për mungesën e ilaçit, sërish nuk kishte mundur të bënte dot asgjë për të birin. Megjithatë nuk ishte dorëzuar! Kishte kërkuar vetë recetën e ilaçit në mënyrë që ta blinte vetë nëpër farmacitë private që operojnë në Tiranë, por mjekët, pas shpërthimit të skandalit të Onkologjikut nuk e kishin ndihmuar as për t'i dhënë një recetë.