
TIRANË-Pas një muaji, sot mbyllet fushata elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Tirana, do të jetë 'skena' e fundit e fjalimeve, pankartave dhe e energjisë elektorale. Partia Demokratike dhe ajo Socialiste do të mbajnë miting përmbyllës në Tiranë në të njëjtën orë. PD do të zhvillojë takimin përmbyllës në Bulevardin e Ri në orën 19:00, ndërsa PS mbyll fushatën pranë Parkut Olimpik. Të shtunën heshtje zgjedhore dhe të dielën shqiptarët do tu drejtohen kutive. Dje ishte afati i fundit për të gjithë emigrantët shqiptarë të regjistruar për të votuar që të merrnin pakon me zarfin e votimit. 18 mijë zgjedhës jashtë vendit, ndonëse u regjistruan nuk e kanë marrë zarfin me fletën e votimit dhe kështu vota e tyre digjet. Vetëm 3 ditë kanë mbetur që votat të kthehen në Shqipëri, pasi çdo votë që futet në territorin shqiptar pas orës 19:00 të 11 majit, do të quhet e pavlefshme. Ndërkohë Zyrat e shpërndarjes së kartave të identitetit do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë, datë 10 maj 2025, si pasojë e afateve të skaduara dhe nevojës për t’u pajisur me dokument të vlefshëm për të votuar ditën e dielë më 11 maj.
/ZËRI