TIRANË- Nën petkun e një biznesi estetik dhe të kuruar, me marka të njohura ndërkombëtare, ambiente luksoze dhe klientelë të përzgjedhur, Policia e Tiranës ka ndërhyrë për herë të parë në një segment tregu që deri më tani kishte mbetur pothuajse i paprekur: tregun e veshjeve dhe aksesorëve të luksit. ZËRI ka mësuar se subjektet e proceduara në Prokurori nga Policia gjatë operacionit "Illegal Trade" që u zhvillua të shtunën, tashmë zyrtarisht nën hetim janë: Zaboo Garden, Brandville, Daka Brand, Prive, Monarch Luxury Boutique, Senso Unico, Beleri Shpk dhe Datja&Co. Zyrtarisht, këto biznese po hetohen me indicien që tregtojnë produkte të markave luksoze, të kontrabanduara, pa dokumentacion, madje edhe te mënyra e financimit të disa subjekteve, qarkullimi i parave, pronësia reale dhe lidhjet e mundshme mes kompanive dhe individëve që qëndrojnë pas tyre. Burime i thanë ZËRI se policia dyshon se këto 8 subjekte i kalojnë produktet e luksit përmes Aeroportit të Rinasit, përmes “personal shopper”, që sjell mallrat e luksit deri në dyqan përmes korruptimit të oficerëve të kontrollit në pikën kufitare. Administratorët e proceduar nga Policia janë: Kamela Gjinollari (Daka), Julian Beleri (Beleri), Alfred Datja (Senso Unici Albania), Bledar Datja (Datja & Co), Gjergji Hysi (Prive 2019), Nerida Rama (Monarch Butik), Sonja Sadiku, Eni Zizollari dge Daniel Volaj (Brandville). Për herë të parë, nën lupën e organeve ligjzbatuese po kalon një sektor që prej vitesh ka operuar larg vëmendjes publike, pavarësisht qarkullimit të konsiderueshëm financiar që gjeneron
./ZËRI