
TIRANË- Ritmet e emigracionit janë përshpejtuar ndjeshëm vitet e fundit, duke tejkaluar dhe nivelin e vitit 2015, kur u konstatua një ikje masive. Monitor shkruan se edhe në vitin 2022 emigrimi nga vendi ynë ka qenë në nivele të ngjashme, duke bërë që vetëm në dy vjet, 2022-2023 të emigrojnë gati 100 mijë persona nga vendi.
Këtë herë ikjet nuk po reflektohen më përmes kërkesave për azil. Po sipas Eurostat në 2022-n kishte vetëm 13 mijë kërkesa për azil dhe në 2023-n numri i tyre zbriti në 9,145, ndryshe nga 2015-a, kur aplikimet për azil arritën rekordin në 68 mijë. Por, edhe pse aplikimet për azil të krijojnë idenë që tendenca e emigracionit është në tkurrje, duket se shqiptarët tashmë nuk ikin më përmes kësaj forme, por me bashkimet familjare, kryesisht në Itali, apo për punë në Gjermani.
Italia ka një numër të lartë të bashkimeve familjare, si një nga destinacionet kryesore historike të shqiptarëve që ikin jashtë, por nuk mungojnë as të rinjtë. Gjermania është destinacioni i dytë dhe vitet e fundit ka qenë e preferuar nga të rinjtë që ikin në kërkim të një pune. E treta është Kroacia, që ka parë vitet e fundit emigrimin e mbi 1 mijë personave nga Shqipëria, pasi ky shtet po tërheq punonjës në ndërtim dhe në turizëm. Ndërsa Greqia nuk i raporton të dhënat, ç’ka nënkupton se numri i të emigruarve në vendet e Bashkimit Europian është edhe më i lartë sesa raportohet./ZËRI