
TIRANË-Shqipëria, një vend i vogël në hartë, por me qëndrime të mëdha në politikën e jashtme, ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me konfliktin e fundit të zhvilluar mes Izraelit dhe Iranit. Konkretisht në Shqipëri jetojnë prej disa vitesh 2.800 anëtarë të MEK-ut, në një kamp Manzë, në Qarkun e Durrësit. MEK është një organizatë me strukturë ushtarake, e cilësuar si “terroriste” nga vetë Irani. Sot, Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie diplomatike me Iranin dhe Teherani ka kërcënuar haptazi territorin tonë për shkak të MEK.
Alarmi për Shqipërinë, u ngrit kur një ditë para nisjes së konfliktit, në rrjet qarkulloi një video e muxhahidinëve të Manzës, ku paralajmëronin se Izraeli do të sulmonte Iranin. Video me AI, paralajmëronte saktësisht objektivat e goditura. Por pamjet ishin thjesht një spekulim i rrjetit. Shefi i Antiterrorit, Alban Dautaj, deklaroi për ZËRI se situata në kamp është e qetë dhe janë në gadishmëri, teksa theksoi se videot në rrjet janë spekulime.
Në vitin 2022, Shqipëria përjetoi një nga sulmet më të rënda kibernetike në historinë e saj, i atribuar qartë Iranit. Si pasojë, u ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin dhe u dëbuan diplomatët iranianë. Kampi MEK u bë objekt bastisjesh dhe hetimesh, ku në 2023, aksion i SPAK në kampin e MEK, kundër terrorizmit e sulmeve kibernetike do të sillte dhe një viktimë. Në gusht të 2018, u raportua se pjesëtarë të këtij komuniteti kishin dhunuar një grup xhirimi britanik, që po filmonte kampin e Manzës nga jashtë rrethimit të tij. Duke marrë shkak nga incidentet ndër vite a është Shqipëria sërish në rrezik?/ZËRI