
TIRANË- Lulzim Basha është zotuar se do të heqë vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe. Në fjalën që mbajti në takimin e tij në Athinë, Basha tha se edhe tavolinën ku ulet kryeministri Edi Rama me partnerët evropianë, ia ka mundësuar ai. Sipas Bashës, kur ke një qeveri dhe një kryeministër që parësor kanë interesat e njerëzve, nuk ka asgjë të paarritshme.
Fjala e Bashës:
Ishte një kohë kur ishim krah për krah me Kroacinë në anëtarësimin në NATO. Dhe sot jemi në të njëjtën tavolinë si Republika Helene, si Greqia në aleancën më të fuqishme ushtarake dhe të vlerave në botë në NATO. Dhe t’ia themi këtu nga Athina, t’ia kujtojmë kryeministrit që tavolina ku e kam ulur Shqipërinë, është e vetmja tavolinë ku ai ulet dhe sot e kësaj dite me partnerët Euroatlantik. Kjo është një provë tjetër se kur ke një qeveri dhe një kryeministër që parësor kanë interesat e njerëzve, nuk ka asgjë të paarritshme. Dhe sot nga Athina, meqë përmendëm shembullin e Kroacisë që tani është bërë anëtare e Bashkimit Europian dhe janë hequr dhe vizat me SHBA, dua ta përsëris zotimin tim se ashtu siç punuam dhe hoqëm vizat me Bashkimin Europian, do të heqim vizat për shqiptarët me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe.