SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar zgjedhjet e mesmandatit në SHBA duke i cilësuar ato si një garë vendimtare për të ardhmen e vendit. Gjatë deklaratave të tij, presidenti Trump nuk ka kursyer as batutat duke thënë se nëse amerikanët lodhen prej tij mund të zhvendoset në Izrael për të marrë postin e kryeministrit.
Në një intervistë për Fox News Trump argumentoi se administrata e tij ka përmbushur premtimin për ta rikthyer Amerikën në pozitat e një fuqie të madhe, duke vënë në pikëpyetje edhe nevojën për të vijuar me sloganin që ka shoqëruar fushatat e tij elektorale, 'Make America Great Agai'.
“Më lejoni t'ju them se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme, sepse ne ia kemi dalë vërtet ta bëjmë Amerikën sërish të madhe” tha Trump.
Më tej, kreu i Shtëpisë së Bardhë e lidhi me humor të ardhmen e tij politike me mbështetjen që do të marrë nga qytetarët amerikanë, duke përmendur edhe një destinacion të pazakontë në rast se ata do të lodheshin prej tij.
“Nëse njerëzit në Shtetet e Bashkuara do të lodheshin ndonjëherë prej meje, do të shpërngulesha në Izrael dhe do të bëhesha kryeministër” tha presidenti amerikan./ZËRI