
FIER-Ish-juristi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, i shpallur në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në disa raste është arrestuar në kuadër të operacionit policor “Stolen Land”. Arrestimi i 56-vjeçari, vjen pas hetimit të ndërmarrë në Fier lidhur me tjetërsimin e tokave në Seman, ku në pranga ndodhen edhe dy ish-drejtorët e Kadastrës dhe biznesmeni Kastriot Hasko. Ndaj Hidir Zanit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier,ka caktuar masën arrest me burg.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se biznesmeni Kastriot Haskaj ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, përmes të cilave ka arritur të regjistrojë në emrin e tij dhe të katër personave të tjerë 1143 hektarë tokë në zonat e Semanit të Ri dhe Sheq Marinasit. Pasi ka regjistruar pronat, Haskaj dyshohet se ka përdorur edhe një prokurë të posaçme të falsifikuar, duke u paraqitur si përfaqësues i bashkëpronarëve të tjerë.
Në këtë mënyrë, ai ua ka shitur tokat dy kompanive të ndryshme. Ndërkohë ish-drejtorët Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj, së bashku me juristin Piro Çela, akuzohen se kanë regjistruar pronat në kundërshtim me ligjin, pa kërkuar konfirmimin e vendimeve të kthimit të pronave nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni i koduar “Stolen Land”, ndalohet ish-juristi i AShK Fier, i shpallur në kërkim për shpërdorim detyre.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë ndaluar shtetasin H. Z., 56 vjeç, banues në Fier, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Stolen Land”, i zhvilluar disa javë më parë.
Ky shtetas ishe shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datë 17.09.2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në disa raste.
Shtetasi H. Z. akuzohet se ka shpërdoruar në disa raste, detyrën si jurist në AShK Fier.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.


