POLONI- Pesë persona kanë humbur jetën dhe rreth 10 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në Sheshin Kryesor të Tregut në qytetin e Krakovës në Poloni. Mes të plagosurve raportohet se ka edhe efektivë policie.
Sipas mediave të huaja ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 kur një person mbërriti me automjet në shesh dhe hapi zjarr në drejtim të personave të rastësishëm. Pas ndërhyrjes së policisë autori i dyshuar u qëllua nga efektivët dhe u transportua në spital.
Ndërkohë forca të shumta policie dhe shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje. Bashkia e Krakovës konfirmoi se të shtënat ndodhën në Sheshin Kryesor të Tregut ndërsa njoftoi edhe për një operacion policor në rrugën Dietla.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën deri në përfundimin e operacionit. Motivi i sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim./ZËRI