MALËSI E MADHE- Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Malësinë e Madhe ku një shtetas gjerman ka plagosur me thikë dy efektivë të Policisë gjatë ndërhyrjes për arrestimin e tij.
Ngjarja nisi pas një denoncimi të bërë nga një 27-vjeçar i cili njoftoi Policinë se teksa udhëtonte me automjetin e tij nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, një drejtues tjetër mjeti dyshohet se i kishte hedhur benzinë makinës. Incidenti raportohet të ketë ndodhur pranë një pike karburanti, në afërsi të pikës së kalimit kufitar.
Pas sinjalizimit shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan. Në drejtimin e tij ndodhej një shtetas gjerman 47-vjeçar, me inicialet J. K. i cili ka refuzuar të identifikohet.
Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij47-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur dy efektivë të Patrullës së Përgjithshme, inspektorët S. B. dhe I. S.
Të dy punonjësit e Policisë janë transportuar në spital ku kanë marrë ndihmën mjekësore. Ndërkohë, shërbimet kanë arritur të neutralizojnë shtetasin gjerman dhe ta shoqërojnë në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe.
Grupi hetimor po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Malësi e Madhe/Informacion paraprak
Rreth orës 17:30, në sallën operative të DVP Shkodër, ka njoftuar shtetasi A. Q., 27 vjeç, se gjatë udhëtimit me automjetin e tij, nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë mbi automjet, në afërsi të një pike karburanti pranë pikës së kalimit kufitar.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar automjetin e dyshuar në fshatin Pjetroshan.
Drejtuesi i këtij automjeti, shtetasi gjerman J. K., 47 vjeç, ka refuzuar të identifikohet dhe, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, ka goditur me mjet prerës (thikë) dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, inspektorët S. B. dhe I. S., të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë neutralizuar dhe shoqëruar 47-vjeçarin në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI