TIRANË- Një incident me një prej dronëve të Policisë së Shtetit është regjistruar gjatë protestës në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'. Pajisja e cila ishte vënë në shërbim për monitorimin e lëvizjeve të protestuesve, është rrëzuar në mes të bulevardit.
Rënia e dronit ka tërhequr vëmendjen e disa protestuesve, të cilët janë afruar pranë tij. Në këtë moment kanë ndërhyrë efektivët e policisë, të cilët kanë përdorur autobotin e ujit dhe gazin lotsjellës për të larguar turmën dhe për të mos lejuar marrjen e pajisjes nga protestuesit.
Pas ndërhyrjes, policia ka arritur ta rimarrë dronin duke siguruar pajisjen që ishte përdorur për mbikëqyrjen nga ajri të protestës.
Ngjarja është shoqëruar me tensione në bulevard, ndërsa ndërhyrja për rikuperimin e dronit u bë një tjetër episod i përplasjes mes protestuesve dhe forcave të rendit./ZËRI