
TIRANË- Ndeshja përballë Kilit është për t’u harruar nga Kombëtarja Kuqezi. Në sfidë, përvecc pësimit të tre golave, nuk goditëm asnjëherë kuadratin. Vetëm tifozët ishin pjesa më e bukur, nuk zhgënjyen as këtë herë, duke dhuruar spektakël në tribunat e “Ennio Tardinit”.
Kjo ishte një sfidë ku të gjithë ishin sy e vështirë për të parë se çfarë ekipi do të hidhte Sylvinho, por trajneri nuk ndryshoi as në këtë sfidë, pavarësisht se ishte thjesht një test miqësor. Nuk patën asnjë imapakt as zëvendësimet e kryera në pjesën e dytë, Shqipëria dukej shumë larg atij ekipi që dhuroi spektakël gjatë fazës kualifikuese.
Ndërkohë ndeshja mes Shqipërisë dhe Kilit në Parma ka qenë e veçantë për Klaudio Bravon. Ish-portieri i Barcelonës dhe Mançester Sitit, u kthye përsëri në radhët e përfaqësueses dhe ishte titullar në suksesin 3-0, në një ndeshje ku ai vendosi një rekord të ri.
Bravo u bë lojtari i parë në historinë e përfaqësueses së tij që luante përtej moshës 40-vjeçare. Portieri shënoi këtë rekord në moshën 40-vjeç e 344 ditë. Ai në fakt e kishte vendosur rekordin e lojtarit më të vjetër në historinë e përfaqësueses që në nëntorin 2022 ndaj Polonisë, por tashmë ka shkruar emrin e tij me këtë shifër të re të rëndësishme.
Dhe në fakt “veterani” nuk e vu shumë në punë nga lojtarët kuqezinj, të cilët nuk regjistruan asnjë gjuajtje në portë në këtë duel. Këtë e pranoi edhe ai vetë pas ndeshjes.
“Na jep kënaqësi fitorja, pasi kemi bërë një punë të mirë këto ditë. Edhe pse jam thuajse 41-vjeçar, kam shumë dëshirë. Shokët e skuadrës kanë bërë një ndeshje thuajse perfekte. Mendoj se nuk jam hedhur asnjëherë në tokë gjatë 90 minutave, kjo tregon shumë për punën taktike dhe sforcon fizike që bënë djemtë dhe që duhen duartrokitur”, tha ai pas sfidës.