
PRISHTINË – Xherdan Shaqiri, aktualisht futbollist i Chicagos në SHBA, por që në karrierën e tij ka luajtur me klube të mëdha në Europë, është përfshirë në një ngjarje jo të këndshme. Ai është nxjerrë jashtë një diskoteke në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Dy herë kampioni i Ligës së Kampioneve ka qenë në një nga klubet më të njohura të Prishtinës, ku ka dalë për t’u argëtuar. Shaqiri aktualisht është në Kosovë, ku po shijon pushimet.
Mirëpo, Shaqiri dhe një grup shokësh që e shoqëronin janë nxjerrë jashtë diskotetës. Shkak për këtë janë bërë sjelljet e tyre të pahijshme. Edhe një tjetër grup të rinjsh janë ankuar se Shaqiri dhe miqtë e tij kishin sjellje jo të hijshme ndaj tyre.
Mediat në Kosovë shkruajnë se dhe personi që ka bërë ankesën është gjithashtu një figurë publike. Pas ankesës së tij, ylli i futbollit të Kosovës dhe Zvicrës është nxjerrë jashtë nga diskoteka./ZËRI/