
BERLIN- Modelja Bella Hadid reagoi pas vendimit të Adidas për të anuluar kontratën me të. Hadid, e cila është gjysmë palestineze u shpreh se është e mërzitur dhe zhgënjyer nga pandjeshmëria e treguar gjatë kësaj fushate.
Fushata reklamuese për atletet retro - SL72 - i referohej Lojërave Olimpike të Mynihut të vitit 1972, ku u vranë 11 atletë izraelitë dhe një oficer policie gjermane në sulmin e një grupi palestinez të quajtur Shtatori i Zi.
Adidas më pas kërkoi falje dhe tha se do të "rishikonte" fushatën e saj, duke konfirmuar për AFP se Hadid nuk do të ishte më modelja.
Modelja, 27 vjeçare, ka qenë një mbështetëse e zëshme e palestinezëve dhe në fillim të këtij viti dhuroi para për të mbështetur përpjekjet e ndihmës për luftën në Gaza.
"Unë kurrë nuk do të merresha me vetëdije me ndonjë art apo punë që lidhet me një tragjedi të tmerrshme të çfarëdo lloji", tha Hadid në një deklaratë të cilën e shpërndau në rrjetet sociale.
"Përpara përgatitjes së fushatës, nuk kisha njohuri për lidhjen historike me ngjarjet mizore të 1972. Paqja mbi dhunën. Jam e shokuar, jam e mërzitur dhe e zhgënjyer nga mungesa e ndjeshmërisë që ndodhi në këtë fushatë, po të isha vënë në dijeni, nuk do të kisha marrë pjesë kurrë. Ekipi im duhet ta dinte, Adidas duhet ta dinte dhe unë duhet të kisha bërë më shumë kërkime në mënyrë që edhe unë të isha informuar dhe të flisja. Unë nuk besoj në urrejtjen në asnjë formë, duke përfshirë antisemitizmin. Kjo nuk do të lëkundet kurrë, dhe unë i qëndroj deklaratës time. Të lidhësh çlirimin e popullit palestinez me një sulm kaq tragjik, është diçka që më lëndon zemrën. Palestina nuk është sinonim i terrorizmit dhe kjo fushatë theksoi pa dashje një ngjarje që nuk përfaqëson atë që jemi ne”, tha Bella Hadid.
Fushata e Adidas në fillim të këtij muaji, kishte Hadid si modelen kryesore, duke mbajtur një buqetë me lule për rilançimin e atleteve, të cila fillimisht u lançuan në 1972, të njëjtin vit me Olimpiadën e Mynihut. /ZËRI/