
KOSOVË- Në prag të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Kroacisë, në rrjetet sociale është bërë virale një deklaratë e bërë nga gazetari nga Kosova, Rron Gjinovci. Në një intervistë për mediat në Kosovë, Gjinovci ka thënë se është më shumë entuziast për Kroacinë sesa për Shqipërinë.
Sipas Gjinovcit, Kroacia bën më shumë për Kosovën sesa Shqipëria.
“Më entuziast jam për Kroacinë nesër sesa për Shqipërinë, për arsye krejt politike. Më shumë bën Kroacia për neve sesa Shqipëria. E kam gjyshen kroate, e kam edhe një arsye shtesë. Kroacia na shet armë, e lufton aktivisht Serbinë për dallim nga Shqipëria që e mbështet Serbinë. Është vendi i parë [Shqipëria] që na ka vendos sanksione”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
“Nuk i kuptoj kosovarët që shkojnë harxhojnë para e shqyejnë gurmazin për Shqipërinë”, ka shtuar tutje ai.
Kroacia e Shqipëria përballen sot në Hamburg në ndeshjen e dytë të Grupit B. Kroacia u mposht nga Spanja, ndërsa Shqipëria nga Italia në ndeshjet e para./ZËRI