
AMSTERDAM- Holandezi Joost Klein (Joost), i cili u skualifikua nga Eurovizioni pak orë para finales së madhe në Malmö, mund të përballet me akuza për kërcënime. Lajmin e bëri me dije policia suedeze. 26-vjeçari, i cili ishte një nga favoritët për të fituar, por u përjashtua nga gara, diçka e paprecedentë në historinë 68-vjeçare të Eurovisionit, pasi një nga anëtarët e produksionit e akuzoi për një incident në prapaskenë.
Zëdhënësi i policisë suedeze i tha Guardian se hetimi ka përfunduar dhe një vendim për ngritjen e një akuzë duhet që të merret brenda 2 javëve të ardhshme.
"Ne presim që ndoshta të ketë një ndjekje penale, sherri nuk kishte të bënte me një krim më të rëndë,"-tha oficeri i policisë përgjegjës për median suedeze "SVT".
Ndërsa sipas gazetës "Malmö Sydsvenska", kërcënimi zakonisht dënohet me gjobë.
Transmetuesi holandez Avotros tentoi që të hidhe dritë mbi rastin duke u shprehur se këngëtari bëri një 'gjest kërcënues' ndaj një kameramaneje femër, por shtoi se nuk e kishte prekur në asnjë moment.
“Kundër marrëveshjes që ishte bërë e qartë, Joost u filmua kur sapo kishte dalë nga skena dhe duhej të nxitonte për në dhomën e gjelbër. Në atë kohë, Just tha disa herë se nuk dëshironte të filmohej. Kjo nuk u respektua,”-shtoi si sqarim media holandeze.
Por zgjedhja u bë dhe Klein u përjashtua.
Organizatorët nuk kanë dhënë më shumë informacion në lidhje me incidentin gjatë konkursit, por kanë sqaruar se në përplasje nuk ka qenë i përfshirë asnjë artist tjetër dhe asnjë anëtar i ndonjë delegacioni, pasi fillimisht u pretendua se Klein ishte përplasur me një person nga delegacioni i Izraelit./ZËRI