
TIRANË- Aktorja Rudina Dembacaj, për të cilën dje ZËRI raportoi ekskluzivisht se ishte dënuar me 6 muaj burg nga Gjykata, për falsifikimin e prokurës për vajzën e saj, ka bërë një reagim indirekt në rrjetet sociale. Teksa flet për një rol të luajtur së fundi në skenën e Teatrit, Dembacaj e përshkruan veten si një vajzë malësore, fillimisht të ndrojtur, që më pas vendos të ruajë dinjitetin e saj, pavarësisht se me kë përballet.
Postimi i Dembacajt:
Çdo vajzë, çdo grua ka sfidat, fitoret, vuajtjet, gëzimet, ulje- ngritjet, kryengritjet e saj. Punon, duron, mbijeton, për veten, për fëmijët, për familjen e saj. Flet shumë edhe atëhetë kur zgjedh me hesht.
Pavarsisht se çfarë i ndodh në jetë e me kë duhet të përballet, betejën më të madhe e ka me veten, që të mund të ruajë dinjitetin, integritetin edhe në kohë të vështira. Lum kush ja del, sepse respekti për veten, është fuqia më e madhe për të ecur veç përpara.
“7 minuta”, më mjaftuan, që ashtu e strukur nën lëkurën e personazhit që kisha në shfaqje, t’ia rikujtova prap fort vetes se s’duhet kurrë me u dorëzu e s’duhet me leju askënd me na vendosë kufijt e nënshtrimit, ku do me të pa.
Ishim 11 vajza e gra në atë skenë, me jetë e karaktere të ndyshme, deri në ekstreme. Unë, isha malësorja që në fillim u frikësova, u hutova u lëkunda përballë rrezikut që po na kanosej…. derisa e gjeta forcën e në fund i thashe JO humbjes së dinjitetit tim.
Aktorja Rudina Dembacaj u dënua nga Gjykata e Apelit me 6 muaj burg, që i është konvertuar në 80 orë shërbim prove. ZËRI ka zbuluar se dënimi i është konvertuar pasi Gjykata, për shkak të rrezikshmërisë së ulët dhe dënimit nën 1 vit burg, mund ta vuajë jashtë dënimin e saj.
Dembacaj është dënuar pasi u kallëzua penalisht nga ish-bashkëshorti i saj Aleksandër Varfaj, pasi kishte nxjerrë vajzën e tyre jashtë vendit duke falsifikuar prokurën. Prokura, e cila duhet të ishte firmosur edhe nga i ati i vajzës, është falsifikuar, ndaj e bija ka dalë jashtë kufirit të vendit, pa dijeninë e të atit. “Krimi” është kryer në bashkëpunim me noterin Ermal Hamzaj, por ky i fundit i ka shpëtuar dënimit.
/ZËRI