
KISHINAU – Një ditë përpara ndeshjes mes Moldavisë dhe Shqipërisë, trajneri moldav Sergei Kleschenko ka vlerësuar ekipin kombëtar shqiptar, duke shtuar se moldavët do të japin shpirtin në fushën e lojës.
Ai u shpreh se Kombëtarja Shqiptare është bërë e fortë. Sipas Kleschenkos, moldavët e kanë këtë sfidë një ndeshje për jetë a vdekje, prandaj do japin gjithçka.
“Jemi duke u stërvitur mirë që prej ditës së parë dhe jemi gati për ndeshjen me Shqipërinë. E dimë që është një sfidë e vështirë, pasi jemi përballur me ta edhe në Tiranë, ku humbëm 2-0, por mendoj se meritonim një barazim. Shpresoj që lojtarët të kenë nxjerrë mësimet e duhura dhe të reagojnë siç duhet nesër. Në këto momente nuk mendojmë aspak për Çekinë, pasi më mirë të vdesim në fushë nesër, sesa të lëmë gjithçka për sfidën në Pragë.
Ne nuk mund të ndryshojmë mënyrën tonë të lojës për një ndeshje, ndaj sigurisht që do të provojmë të mbyllim hapësirat dhe të dalim shpejt përpara. Gjithsesi dua të shoh të njëjtin shpirt gare si në ndeshjen ndaj Polonisë, kur përmbysëm gjithçka në pjesën e dytë. Do të kemi edhe përkrahjen e tifozëve tanë, që kanë treguar se janë gjithmonë aty dhe bëhen një lojtar i 12 për ne”, tha Kleschenko.
Ndeshja mes Moldavisë dhe Shqipërisë zhvillohet nesër, 17 nëntor në orën 18:00 në kryeqytetin moldav. Sfida është e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Ekipit tonë përfaqësues i duhet vetëm një barazim në këtë sfidë, për t’u kualifikuar./Zëri.ai/