
GJERMANI- Anxhelo Stilleri i Shtutgartit ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha në Evropë. Gjermani po shihet si një prej mesfushorëve më premtues të momentit. 24-vjeçari i regjisë së qendërfushës së Shtutgartit ka fituar me djersë nofkën “Toni Krosi i ri”. Saktësisht një Toni Kros po kërkon Reali i Madridit për mesfushën e vetë, e për një të tillë ka nevojë edhe Liverpuli.
Me një rol thelbësor në fushë si numër 6, Stilleri, pjesë kyçe e bardhekuqve gjermanë, tashmë ka debutuar edhe me përfaqësuesen e Gjermanisë, duke fituar katër ndeshje zyrtare aktivizim pas largimit të Krosit. Karriera e 24-vjeçarit nisi në akademinë e Bajernit të Mynihut, por hapi i madh erdhi kur ai u bashkua me trajnerin Sebastian Hënes (Hoeness), fillimisht te Hofenhejmi dhe më pas te Shtutgarti.
Lojtari gjerman ka ngritur një marrëdhënie të besimit të ndërsjellë mes trajnerin Hënes, duke qenë regjia e skuadrave të Hënesit. Stilleri shpërtheu nën drejtimin e Hënesit, duke e ndihmuar vjet klubin në një sezon surprizë që përfundoi në vendin e dytë në Bundesligën gjermane. Kjo paraqitje e jashtëzakonshme tërhoqi menjëherë interesimin e gjigantëve evropianë.
Shtutgarti e transferoi mesfushorin për vetëm 5.5 milionë euro në verën e vitit 2023, vlera e tij tashmë, në 2 sezone, është dhjetëfishuar: një investim që rezultoi jashtëzakonisht i suksesshëm.
Rivaliteti Real-Liverpul mund ta shtojë edhe më vlerën e kartonit dhe ta pasurojë jo pak në verë arkën e Shtutgartit. Sezoni aktual nuk po ecën në të njëjtin nivel për klubin si i vjetshmi, por forma e Stillerit mbetet mbresëlënëse. Gjermani po shihet gjerësisht si pasuesi i Krosit, për nga vizioni, konceptet taktike dhe aftësite teknike që ka. 77 ndeshje, 5 gola dhe 15 asiste janë shifrat e tij në 2 vjet me skuadren bardhekuqe./ZËRI