
ITALI - Më shumë se një duzinë lojtarësh të Serie A mund të jenë përfshirë në skandalin e fundit që goditi futbollin italian. Mesfushori i Juventusit, Nicolò Fagioli dhe lojtarët e Premierligës, Sandro Tonali dhe Nicolò Zaniolo tashmë janë marrë në pyetje si pjesë e një hetimi nga prokurorët në Torino, për baste online nëpërmjet faqeve të paautorizuara.
Mediat italiane raportuan të premten se dhjetëra lojtarë të tjerë mund të jenë përfshirë në skandal, duke përfshirë një shok skuadre të Fagiolit tek Juventus.
Tonali dhe Zaniolo u morën në pyetje nga policia në kampin stërvitor të Italisë, përpara ndeshjeve të ardhshme kualifikuese të Kampionatit Evropian. Më pas ata u larguan nga kombëtarja. Të tre lojtarëve u janë konfiskuar telefonat dhe tabletët. Ata mund të përballen me ndalime të gjata në futboll.
Zaniolo, i cili është huazuar te Aston Villa nga Galatasaray, është rikthyer në Angli dhe tha se ka luajtur blackjack në një faqe interneti që nuk e dinte se ishte e paligjshme, por shtoi se kurrë nuk ka vendosur bast në ndeshje futbolli.
Tonali shkoi në Milano për t'u konsultuar me ekipin e tij ligjor. Sulmuesi u bashkua me Newcastle nga Milan.
Mediat italiane shkruajnë se Fagioli, Gatti dhe Bonucci kanë biseduar për vendosje bastesh. Dyshohet se në baste janë përfshirë dhe Florenzi e Tonali tek Milani, Zaniolo, Zalevski dhe Mancini tek Roma, Rovella, Romagnoli, Zaccagni, Lazzari e Pellegrini te Lazio, Barella, Frattesi e Bellanova te Inter.
Dyshohet se në baste sportive janë përfshirë dhe lojtarë të ekipeve Cremonese, Sassuolo dhe Lecce./Zëri.ai/